Nga ëndrra Vllazni, te Shqipëria U21

Nga ëndrra Vllazni, te Shqipëria U21

Në Shkodër je i dënuar të bëhesh futbollist. Ai qytet jeton me topkëmbën dhe i ka dhuruar vendit tonë shumë emra të mëdhenj të këtij sporti të bukur. Geralb Smajli është një nga të rinjtë e shumtë që dëshiron të bëjë hapa të mëdhenj si futbollist dhe fillimi për 20-vjeçarin është i mirë. Pjesë e Vllaznisë, titullar në shumë ndeshje këtë sezon, mbrojtësi i krahut të djathtë ka marrë edhe vëmendjen e trajnerit të Shqipërisë U21, Alban Bushi.

Smajli ka provuar të luajë me kuqezinjtë në miqësore deri më tani, madje edhe ka shënuar gol. I intervistuar për rubrikën “Talenti shqiptar”, i riu tregon hapat e parë në futboll dhe synimet që ka, veç ndjesisë që kishte kur mori ftesën nga Shqipëria U21 dhe kur shënoi ndaj San Marinos. Elseid Hysaj është shembulli i Geralbit, i cili nuk fluturon, por ia lë gjithçka kohës.