Muzeu i Shkencave Natyrore, Tiranë

Muzeu i Shkencave Natyrore, Tiranë

Një nga muzetë më të veçantë që duhet të vizitoni në Shqipëri është Muzeu i Shkencave Natyrore “Sabiha Kasimati” në Tiranë. Ky muze disponon një koleksion të jashtëzakonshëm të biodiversitetit të pasur të vendit tonë, ku ekspozohen rreth 3,000 mostra (specie), si dhe një fond kërkimor shkencor me rreth 100,000 ekzemplarë të faunës shqiptare.

Muzeu u themelua në vitin 1948 si pjesë e ish-Institutit të Shkencave. Me krijimin e Universiteti i Tiranës në vitin 1957, ai kaloi nën juridiksionin e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, si pjesë e Departamentit të Zoologjisë. Në vitin 2010, së bashku me Herbariumin Kombëtar dhe Kopshtin Botanik, u bë pjesë e Qendrës së Kërkimit për Florën dhe Faunën pranë këtij fakulteti.

Rajoni i Mesdheut konsiderohet një nga zonat më të pasura në botë për nga fauna, dhe Shqipëria ka qenë historikisht një oaz i specieve të rralla, të mbledhura dhe të studiuara me kujdes nga studiuesit shqiptarë, veçanërisht gjatë periudhës komuniste. Aktualisht, vlerësohet se Shqipëria përmban rreth 30% të faunës së Europës. Megjithatë, vendi ka humbur një pjesë të konsiderueshme të faunës së tij krahasuar me shumë vende të tjera europiane, për shkak të ndryshimeve demografike, erozionit, shpyllëzimit, përdorimit të pakontrolluar të tokës, si dhe peshkimit dhe gjuetisë ilegale.

Në këtë muze do të gjeni një pasuri të jashtëzakonshme speciesh që jetojnë në tokën dhe ujërat tona.

Inventari i faunës përfshin:

  • entomofaunën (insektet),
  • herpetofaunën (amfibët dhe reptilët),
  • ornitofaunën (shpendët),
  • mammalofaunën (gjitarët),
  • makrobentofaunën (molusqet dhe krustacet).