“Arena Center” është një përvojë e re, autentike dhe moderne që përfshin gjithçka në një vend, në zemër të Tiranës. Është një nga ndërtesat më interesante dhe më moderne, pjesë e Kompleksit të Ri të Stadiumit Kombëtar “Arena Kombëtare”. Pranë sheshit “Nënë Tereza”, ngrihet “Arena Center”, një kompleks gjigant kuq e zi, ndër më të lartët dhe më madhështorët, me ngjyrat e flamurit shqiptar.
Kjo zonë është shndërruar tashmë në një nga këndet më moderne të Tiranës, jo vetëm për stadiumin më të madh në Shqipëri dhe historinë e rëndësinë e tij, por edhe për të gjithë kompleksin përreth, me ambientet e këndshme dhe kolonat e njohura të godinës së muzeut.
Stadiumi “Arena Kombëtare”
Stadiumi është ndërtuar në vendin ku ndodhej Stadiumi “Qemal Stafa”. Me një kapacitet prej 21,444 vendesh, ai u inaugurua në nëntor 2019 gjatë ndeshjes Shqipëri–Francë.
“Arena Kombëtare” është unike dhe pa konkurrencë në llojin e saj në Shqipëri. Ajo përbën një kompleks modern sportiv, jo vetëm për arkitekturën e saj shumë interesante dhe tërheqëse. Integrimi i fasadës historike i jep stadiumit një vlerë të shtuar; ai është konceptuar në formën e një teatri greko-romak. Struktura e stadiumit ka një formë të veçantë shumëplanëshe (oktagonale), ku secila anë mundëson akses në pjesë të ndryshme të kompleksit.
E gjithë godina është kthyer në një pikë referimi për të gjithë vizitorët, jo vetëm për të ndjekur ndeshjet, por edhe si një hapësirë argëtuese dhe kulturore. Në katin e parë ndodhet Muzeu i Futbollit Shqiptar, ku paraqitet historia e stadiumit si pjesë e trashëgimisë kulturore dhe historike të qytetit të Tiranës. Në këtë muze, historia e futbollit shqiptar pasqyrohet përmes fotografive, videove dhe materialeve audio, duke e bërë atë një muze tërheqës dhe të hapur për vizitorët vendas dhe të huaj.