Galeria e Postës Shqiptare

Galeria e Postës Shqiptare

Historia e pullave kombëtare shqiptare daton që nga 5 maji 1913. Qeveria e Ismail Qemali zhvilloi një aktivitet intensiv në emetimin e pullave postare. Zhvillimet e mëvonshme të filatelisë shqiptare u pasqyruan në mënyrë të vazhdueshme në këto emetime, duke mbetur gjithmonë pjesë dhe shprehje e identitetit kombëtar, si një pasqyrë e qartë e historisë dhe kulturës së popullit tonë.

Posta Shqiptare dhe filatelia, në një simbiozë të vazhdueshme, kanë përshkruar një rrugëtim të gjatë, kompleks dhe të pasur. Periudha pas çlirimit të Shqipërisë dhe deri në vitet ’90 të shekullit XX ofron një panoramë tërheqëse të zhvillimit të filatelisë shqiptare.

Kjo periudhë dallohet veçanërisht për pasurinë dhe numrin e konsiderueshëm të emetimeve, të cilat, siç dihet, kanë qenë kryesisht të politizuara dhe të ngarkuara ideologjikisht — një aspekt që trajtohet në një kapitull të veçantë.

Duke filluar nga viti 1990, me nisjen e proceseve demokratike, përveç luhatjeve të kuptueshme të viteve të para të tranzicionit (1991, 1992, 1993), janë ndërmarrë përpjekje serioze dhe është treguar kujdes i veçantë nga Drejtoria e Përgjithshme e Postës Shqiptare për zgjerimin e tematikës së pullave. Njëkohësisht, është synuar shmangia e politizimit të tyre dhe rritja e cilësisë së printimit, e cila sot paraqitet dukshëm më e avancuar.